Është mbajtur të premten Akademi Përkujtimore kushtuar 23-vjetorit të Betejes së Zhegocit, ngjarje kjo e organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të të Komunës, Alban Hyseni dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Gjatë adresimit para të pranishmëve, kryetari Hyseni tha se sa herë që nderojmë të rënët, ne nderojmë historinë e me këtë kujtojmë aspiratat tona ndër breza.
“Sa hërë që nderojmë të rënët, ne nderojmë historinë e me këtë kujtojmë aspiratat tona ndër breza. Beteja e Zhegocit na kthen në Anamoravën e prillit të vitit 1999, në kohën kur lufta e armatosur e UÇK-së ishte në kulmin e saj dhe shtrirja e mobilizimi ishte në gjithë vendin. Kosova ato ditë ishte në flakë. Të mangët në armatim e logjistikë, por të vendosur ishin ushtarët tanë në betejën me armikun”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Në Betejën e Zhegocit ranë shumë luftëtarë e civilë të pafajshëm. Humbëm më të mirët, por e fituam lirinë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së ka folur nënkryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Muhamet Bilalli, i cili tha se dëshmorët që po përkujtohen sot iu bashkangjitën pushkës së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla, tha se krismat në Betejën e Zhegocit treguan se gjithë Kosova është e përfshirë në luftë.
Ndërkaq, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se sot po përkujtohet një betejë e cila e përmbushi obligimin që e kishte ndaj atdheut si ushtri e përbërë nga bijtë e bijat më të mirë të Kosovës për t’i dhënë fund robërisë.
Në fund të kësaj Akademie është shfaqur një dokumentar kushtuar dëshmorit Nijazi Osmani. /2LONLINE/