Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim Arsim Vranovcin, pronar i Global Consulting & Development Associates, kompania e të cilit është shpallur si kompania më e mirë në Evropë me çmimin “Maja e Suksesit (Peak of Success) në eventin Bizz Europe, të organizuar nga World Business Confederation në Lisbonë të Portugalisë.
Me këtë rast, kryetari Hyseni i ka ndarë mirënjohje Vranovcit për kontributin në fushën e biznesit.
“Global Consulting & Development Associates nga Gjilani ka hyrë në mesin e kompanive të njohura, jo vetëm të rajonit e Evropës, por edhe të botës, pasi me rezultatet, punën dhe përkushtimin e tij ka arritur që ta fitojë një çmim i cili edhe e shpërblen për punën përmes këtij vlerësimi. E falënderoj Arsimin dhe ekipin e tij për vizitën dhe inkurajoj edhe bizneset tjera në Gjilan, por edhe në Kosovë, që ta ndjekin këtë shembull dhe të vazhdojnë të punojnë për të mirën publike, e sidomos për të mirën e Gjilanit”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërkaq, pronari i Global Consulting & Development Associates, Arsim Vranovci, e ka falënderuar kryetarin Alban Hyseni për pritjen dhe vlerësimin e lartë.
“Është emocion për mua dhe për stafin tim, për këtë rezultat të jashtëzakonshëm që e kemi arritur. Ky çmim prezantohet për herë të parë në Gjilan dhe e falënderoj shumë kryetarin e Komunës për pritjen dhe mirënjohjen”, ka thënë ai. /2LONLINE/