Kryetari Hyseni ka pritur në takim të përbashkët zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ambasadorin Minxhozi, prezanton programet zhvillimore për Gjilanin dhe organizimin e Panaririt mbarëkombëtar.
Gjilan, 23 mars 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Luan Aliu, kanë pritur të mërkurën në takim të përbashkët zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë, Besnik Bislimi dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Pasi i falënderoi për vizitën në Gjilan, kryetari Hyseni tha se në takim ka prezantuar programet zhvillimore për Gjilanin dhe organizimin e Panairit mbarëkombëtar.
“Biseduam për programe zhvillimore që i kemi prezantuar e konceptuar për Gjilanin dhe besoj e shpresoj që do të kemi përkrahje edhe nga Qeveria e Kosovës dhe nga partnerët tjerë. Temë kryesore e këtij takimi ka qenë Panairi mbarëkombëtar i cili do të mbahet në Gjilan në muajin korrik. Nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe nga ambasadori Minxhozi kemi gjetur një mirëkuptim dhe përkrahje për organizimin e tij”, ka thënë pas takimit kryetari Alban Hyseni.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen, ndërkaq ka ofruar mbështetjen për idetë që i prezantoi për zonën ekonomike dhe për të gjitha aspektet e Panairit.
“Isha i impresionuar me thellësinë me të cilën kryetari i ka realizuar projektet zhvillimore për Gjilanin. Fokus kryesor ka qenë mbështetja që Zyra e Kryeministrit mund t’i ofrojë Gjilanit në organizimin e Panairit mbarëkombëtar. Gjilani ka rol vendimtar në këtë rajon për shkak se është komuna më e madhe në këtë pjesë të Kosovës dhe kryetarit i bie një përgjegjësi më e madhe që t’i mobilizojë të gjitha institucionet politike të këtyre komunave në mënyrë që bashkërisht ta ndërtojnë një zonë ekonomike prosperuese. Idetë që i prezantoi kryetari edhe për zonën ekonomike dhe për të gjitha aspektet e Panairit për ne janë shumë mirë të zhvilluara dhe ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë”, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.
Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka ftuar të gjithë që të bashkëpunojnë me Komunën dhe kryetarin e saj, për ta organizuar këtë aktivitet shembullor.
“Në këtë mbledhje pune kemi diskutuar për një Panair të përmasave jo të zakonshme, i cili do të shënojë dimensione të reja bashkëpunimi në mbarë hapësirën rajonale dhe shqiptare. Institucionet e ndryshme dhe bizneset në Shqipëri kanë shprehur një gatishmëri të madhe për të qenë pjesë e këtij Panairi, i cili nuk do të japë vetëm produkte, por edhe ide të ndryshme se si një bashkëpunim ndër ne mund të jetë më efektiv në të ardhmen”, ka deklaruar ambasadori Minxhozi.