Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune të mërkurën Avokatin e Popullit, Naim Qelaj,
Me këtë rast, kryetari Haziri pasi e ka uruar për marrjen e mandatit, e ka falënderuar për rolin e Zyrës së tij për të qenë në funksion të zbatimit të detyrave ligjore.
“E shfrytëzova rastin ta uroj për pozitën dhe ta falënderoj për rolin e Zyrës së tij dhe bashkëpunëtorëve, në mënyrë që ne me qenë në funksion të zbatimit të detyrave ligjore si Komunë. Ju e dini që Avokati i Popullit është ai që identifikon dhe i gjen problemet sipas kërkesave dhe na rekomandon neve si institucione për të gjetur zgjidhje konkrete. Është një urë ndërmjetësimi mes nesh dhe shumë probleme të qytetarëve. Po ashtu, Zyra e Avokatit në Gjilan është funksionale dhe kërkoj nga qytetarët që për çfarëdo që kanë nevojë, ne jemi të gatshëm”, tha Haziri.
Ndërsa, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mundësinë e ofruar për takim, për të diskutuar çështje të rëndësishme.
“Unë e falënderoj publikisht kryetarin për mundësinë dhe krijimin e kushteve që Zyra e Avokatit të Popullit t’i ketë hapësirat brenda objekteve të Komunës. Është edhe një kërkesë ligjore e plotësuar nga kryetari Haziri. Shpresoj që edhe në të ardhmen ta kemi bashkëpunimin e mirë që gjithçka që është në interes të qytetarëve, që lidhet me mandatin që e ka Avokati i Popullit, për të pasur mundësi të zgjidhen. Qytetarët e kanë derën e hapur për t’i adresuar të gjitha problemet dhe shqetësimet që i kanë në zyrat rajonale dhe njëra nga këto zyra është pikërisht në këtë objekt që jemi”, ka thënë Qelaj. /2LONLINE.com/