Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Vitisë, ka mbajtur sot takim mobilizues lidhur me vendimet të reja për qarkullim që kanë hyrë në fuqi sot.
Gjatë këtij takimi është biseduar për qarkullimin e qytetarëve por edhe të bizneseve dhe fermerëve në kushtet e parapara nga niveli qendror.
Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti kërkoi mirëkuptimin e të gjithëve lidhur me këto masa që janë marrë nga niveli qendror me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse si COVID-19.
Ai potencoi se kjo komunë përmes Zyrës për Informim do të mbaj qytetarët të informuar lidhur me të drejtat e tyre për qarkullim. Përndryshe Ministria e Shëndetësisë ajo e Bujqësisë por edhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë publikuar njoftimet për të drejtat dhe mënyrat e qarkullimit dhe dokumentet me të cilën duhet të pajisën ata.
Gjatë këtij takimi është folur edhe për vazhdimin e sigurimit dhe shpërndarjes së pakove higjienike dhe ushqimore për qytetarët me gjendje të renduar financiare.
Përndryshe deri me tani në komunën e Vitisë 20 qytetarë janë infektuar me virusin COVID-19 ndërkaq 3 prej tyre janë shëruar.