Kryetarët e komunave Bujanoc dhe Preshevë, Nagip Arifi dhe Ragmi Mustafa sot kanë kërkuar nga drejtori i Elektrodistribucionit “Jug-Lindje” Darko Bulatoviq shlyerjen e borxheve që kanë qytetarët e këtyre komunave ndaj furnizuesit me energji elektrike.
Pas një takim mbi dy orë të mbajtur në hapësirat e administratës komunale, palët janë dakorduar për bashkëpunim më të mirë mes vete si dhe përmbushje të obligimeve, si Elektrodistribucioni ndaj qytetarëve njashtu edhe qytetarët ndaj distributorit të energjisë.
“Kishim një bisedë konstruktive dhe kryesisht për problemet tona lidhur me zvogëlimin e humbjeve dhe pagesën e rrymës elektrike”, tha pas takimit në konferencën për gazetarë Darko Bulatoviq, drejtor i Elektrodistribucionit “Jug-Lindje”, raporton Titulli.
Ai me këtë rast falënderoi përfaqësuesit e dy komunave në jug të vendit, duke thënë se “nuk është e mjaftueshme që vetëm ne të kërkojmë që të kryhen obligimet, mirëpo edhe ne si ndërmarrje duhet të kryejmë obligimet ndaj vetëqeverisjes lokale dhe marrëdhënia të mira me konsumatorët tanë”.
Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi takimin e vlerësoi të rëndësishëm pasi janë shpalosur ide të ndryshme për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me Elektrodistribucionin.
“Biseduam rreth punësimit të punëtorëve në Elektrodistribucion, njësia në Bujanoc, për investimet që kemi bërë nga viti 2001 këndej, obligimet e qytetarëve që i kanë ndaj kësaj kompanie, por edhe obligimet e Elektrodistribucionit ndaj qytetarëve”, u shpreh Arifi.
Ai njëherit para gazetarëve theksoi se përveç që me homologun tij nga Presheva kanë kërkuar nga drejtorit Bulatoviq mundësinë e shlyerjes së borxhit që këta qytetarë kanë ndaj kompanisë në fjalë, Arifi ka kërkuar edhe rritjen e numrit të punësuarve shqiptare në këtë ndërmarrje, njësia në Bujanoc.
“Në një moment kam bërë pyetje se sa punëtorë kjo ndërmarrje i ka në Bujanoc dhe përgjigja ishte nga 25 punëtorë, 19 janë serbë dhe 6 shqiptarë. Kjo është në kundërshtim me nenin 77 të Kushtetutës së Serbisë. Drejtori ka pranu se së shpejti kjo çështje do të zgjidhet”, u shpreh Arifi.
Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa ka vlerësuar interesimin e drejtorit Bulatoviq për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike.
“Drejtori ka marrë punën jo më shumë se para një viti dhe shihet se është plotë energji për të menaxhuar punën në rrjetet e kompanisë siç është në Vranjë, Bujanoc, Preshevë dhe vende të tjera. Ai ka pa dhe ka identifikuar problemet që janë në rrjetet e “Jug-Lindjes”, u shpreh Mustafa.
Ai theksoi se me këtë rast është kërkuar nga Elektrodistribucioni “Jug-Lindje” të ndërmarrë masa për përmirësimin e menaxhimit të punëve të kësaj ndërmarrje në Bujanoc e Preshevë, në mënyrë që defektet në sistemin elektro-energjetik sa herë që ndodhin të evitohen në mënyrë më efikase.
Lidhur me menaxhim më të mirë dhe furnizim të rregullt me energji elektrike edhe kryetari i komunës së Bujanocit shtroi kërkesën e tij.
“Kërkova nga drejtori që kurrë më të mos kemi probleme kur kemi të bëjmë me festat, siç është rasti me festën e Bajramit kur disa pjesë të vendbanimeve mbesin pa rrymë. Elektrodistribucioni i Vranjës, njësia në Bujanoc duhet me qenë shumë shumë e gatshme t’i ofrojë shërbime qytetarëve, sikurse nga qytetarët që po kërkohet shlyerja e obligimeve”, tha Arifi.
lexo shkrimin e plotë në:
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=2207