/2L ONLINE/ – Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ValentinaBunjaku Rexhepi ka uruar qytetarët, me dëshirën që nëntorët tjerë të na gjejnë edhe më të përparuar si komb.
“28 Nëntori është një ditë e veçantë në kalendarin e festave kombëtare. Në këtë ditë,ne kujtojmë e nderojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, që u flijuan për flamur dhe për shtet shqiptar.
Nën këtë flamur, ne shqiptarët e Kosovës u desh të bëjmë një rrugëtim edhe më të gjatë deri te liria, një rrugëtim që është i mbushur me qëndresë e sakrifica, me dhembje e krenari.
Sot përulemi para atyre që e bënë të mundur këtë ditë. Përulemi me respekt edhe para familjarëve të tyre që vuajtën shumë, por asnjëherë nuk u zmbrapsën nga përpjekjet për liri.
Ne në Gjilan, për të respektuar sado pak këtë sakrificë, kemi nderuar me çmimin “qytetar nderi” dy pjesëtarë të familjeve Mala e Berisha, të cilët jo vetëm që dhanë më të dashurit e tyre për lirinë e vendit, por me qëndresën e tyre të mëtejme u kthyen në simbol qëndrese dhe krenarie për të tjerët.
Zoti i bekoftë shqiptarët”, thuhet në mesazhin e urimit të kryesues së Kuvendit ValentinaBunjaku Rexhepi./2L ONLINE/