Në ditën e saj të parë të punës si Kryesuese e KK të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini, vizitoi Muzeun e Qytetit, e shoqëruar nga këshilltare komunale, veprimtare mbi të drejtat e grave si dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lirije Kajtazi.
Kryesuesja Emini, fillimisht u prit nga drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Arton Hoxha, meqë kjo Qendër është më meritorja për themelimin e Muzeut si dhe po përkujdeset për funksionimin e Muzeun, në mungesë të stafit që duhet të përzgjidhet nga komuna.
Ajo u njoh së afërmi me sfidat e QRTK të Gjilan, e cila me një staf të pakët po i mban dy institucione shumë të rëndësishme kulturore e, më pas, e shoqëruar nga zyrtarja e QRTK-së për Muzeun, Gjylshen Berisha vizitoi edhe eksponatet e dhuruara nga ana e qytetarëve të krahinës së Anamoravës dhe shprehu fjalë miradije për përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e këtyre eksponateve.
Gjithashtu. Shpresa Kurteshi – Emini, e cila në këtë pozitë u zgjodh pasi që kryesuesja e mëparshme, Valentina Bunjaku – Rexhepi, u zgjedh deputete e Kuvendit të republikës së Kosovës, premtoi se Kuvendi i Komunës, për aq kohë sa i ka mbetur ( po edhe përbërje e re që do del pas zgjedhjeve të 22 tetorit ) do t’i përmbushë obligimet e veta ndaj Muzeut.