Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, priti në takim Ambasadorin e Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund.
Kryesuesi Maloku, me këtë rast, ia shprehu falënderimin e tij Ambasadorit Westerlund për mbështetjen që Ambasada suedeze në Prishtinë ka dhënë dhe është duke vazhduar të japë për sistemin prokurorial të Kosovës. Kjo mbështetje vlerësohet në kuadër të angazhimeve të rëndësishme për realizimin e objektivave dhe synimeve të sistemit prokurorial të Kosovës.
Në takimin e sotëm, Kryesuesi Maloku dhe Ambasadori Westerlund, vunë theksin në mënyrë të veçantë në diskutimin për thellimin e bashkëpunimit për luftimin e dhunës në familje, krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përgjithësisht forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë.
Nga ana tjetër, Ambasadori suedez, ka shprehur kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e deritashëm dhe partneritetin e vazhdueshëm, duke theksuar mbështetjen dhe gatishmërinë e institucionit dhe shtetit që përfaqëson për fuqizimin e mëtejshëm të sistemit prokurorial, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës. /2LONLINE/