Kryesuesi i ri i Kuvendit komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, duket se do me e marr me seriozitet angazhimin e tij nga ulësja e të parit të Kuvendit, duke ftuar dy seanca brenda një dite, njëra e jashtëzakonshme dhe tjetra vazhdimësi e seancës së V-të, e cila ishte ndërprerë.
Kadriu ka bërë me dije për 2LONLINE se tani më janë ftuar anëtarët e Kuvendit për këto dy seanca që do të mbahen të premten me 4 gusht.
“Bazuar në kërkesën e pranuar me datën 11 korrik 2023 të nënshkruar nga 12 anëtarët e KK Gjilan, nga të cilët është kërkuar mbledhje e Jashtëzakonshme, ajo do të mbahet me datën 04 gusht 2023 me një pikë të vetme të rendit të ditës: Shkarkimi i anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të tre (3) Ndërmarrjeve Publike Lokale dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj”, ka bërë me dije kryesuesi Kadriu.
Kjo mbledhje do të mbahet në sallën e mbledhjeve të KK-së së Gjilanit me fillim në ora 09:00.
Gjithashtu, kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, ka bërë me dije se po në të njëjtën ditë do të vazhdohet seanca V-të e ndërprerë më 25 maj 2023, me rendin e punës aty ku ka mbetur.
Ehde kjo mbledhje mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, me fillim në ora 10:00. /2LONLINE/