Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim Kryesuesen e Forumit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Kosovës,Vlora Pacolli Rexhepi dhe Zëvendëskryesuesen e këtij forumi, Sebahate Sinani.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i thellimit të bashkëpunimit mes KPK-së dhe Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore të Kosovës, në mënyrë që të fuqizohet edhe më tej prania në sistemin e drejtësisë e gjyqtareve dhe e prokuroreve, duke realizuar vizionin për promovimin e barazisë dhe respektit për të gjithë.
Në këtë aspekt, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka thënë gjatë takimit se, Forumi i Grave Gjyqtare dhe i Prokurore të Kosovës ka një rëndësi të veçantë për sistemit prokurorial dhe përgjithësisht për atë të drejtësisë, ngaqë ndikon drejtpërsëdrejti në krijimin e një ambienti, në të cilin femrat do të kenë mundësinë dhe mbështetjen e nevojshme për ndryshim përmes pjesëmarrjes së saj aktive.
Në anën tjetër, Kryesuesja e këtij Forumi, Vlora Pacolli-Rexhepi, ka theksuar se Forumit i Grave Gjyqtare dhe Prokurore të Kosovës angazhohet sistematikisht për një sistem ligjor, ku të gjithë njerëzit do të trajtohen me dinjitet dhe barazi dhe se ai e ka dëshmuar ketë me anë të aktiviteteve dhe veprimtarisë së zhvilluar, e cila ka ndikuar në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në fund të këtij takimi, bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit, duke inkurajuar dhe mbështetur në mënyrë permanente fuqizimin e gjyqtareve dhe prokuroreve dhe duke u angazhuar për të ngritur vetëdijen publike për kontributin e gjyqtareve dhe prokuroreve në sistemin e drejtësisë në Kosovë. /2LONLINE/