Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, sot ka takuar trajnerët e projektit në kuadër të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), në rajonin e Gjilanit.
Në Prokurorinë Themelore në Gjilan, faza e trajnimeve ka filluar në muajin gusht 2018, fillimisht me stafin e shkrimores, pastaj me prokurorët dhe pjesën tjetër të stafit administrativ.
Nga trajnerët u theksua se, plani i fazës testuese është realizuar me sukses dhe në përputhje me planin e bërë nga ana e menaxhmentit të projektit.
Gjithashtu, potencuan se faza e regjistrimit të lëndëve në sistemin real ka filluar nga muaji nëntor 2018, ku janë regjistruar lëndët me kryerësit madhor, kryesit e mitur, kryerësit e panjohur të veprave penale dhe lëndë të ndryshme.
Në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ndarja e lëndëve tek prokurorët përkatës është bërë në mënyrë rotacionale nga sistemi.
Kryeprokurori, në fund të takimit ka falënderuar të pranishmit për kontributin e tyre dhe ka ofruar mbështetje edhe më tutje, pasi që përmes këtij projekti do të rritet efikasiteti i punës dhe puna manuale do të zëvendësohet përmes sistemit elektronik.