Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka pritur sot në takim zyrtarët e lartë nga Ambasada Britanike, Ken Taylor dhe David Wells, të cilët fillimisht i ka falënderuar për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke kërkuar edhe më tutje mbështetje ndaj këtij institucioni.
Duke qenë mirënjohës për përkrahjen e fuqishme britaneze, Kryeprokurori Maloku gjatë takimit të zhvilluar, ka prezantuar rezultatet e punës së prokurorisë dhe njëkohësisht prezantoi edhe planin e punës për këtë vit, duke theksuar objektivat të cilat edhe në vitet e ardhshme pritet që të tregojnë rezultate të larta.
Ky plan, u vlerësua shumë nga përfaqësuesit e ambasadës britanike, e sidomos u çmua profilizimi dhe specializimi i prokurorëve në fusha të caktuara, që viteve në vijim do të ndikonte drejtpërdrejtë në rezultate konkrete dhe të pritshme nga institucioni i prokurorisë.
Nga rezultatet e prezantuara, u dëshmua puna profesionale dhe efektive, e veçanërisht nga përfaqësuesit u vlerësua shumë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe pse kjo ende vazhdon të mbetet sfidë kryesore e prokurorisë.
Në fund të takimit, zyrtarët e lartë, e vlerësuan bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe theksuan se Ambasada Britanike përmes projekteve të ndryshme do të vazhdojë të ofrojnë mbështetje, për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe institucionale.