KMDLNJ: Mogherini nuk brengoset aspak për qytetarët e Kosovës

KMDLNJ: Mogherini nuk brengoset aspak për qytetarët e Kosovës

KMDLNJ ka reaguar ndaj presionit të BE-së për heqjen e taksave ndaj mallrave serbe, duke thënë se Federika Mogherini, nuk brengoset aspak për qytetarët e Kosovës, të cilët në sajë të mashtrimeve dhe premtimeve i ka ngujuar ata në një geto të madhe duke iu pamundësuar lëvizjen e lirë, si e drejtë elementare.

Reagimi i KMDLNJ-së vjen pas takimit të sotëm që ekipi negociator i Kosovës kishte në Bruksel me palën e Bashkimit Evropian lidhur me dialogun me Serbinë, ku edhe një herë shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini ka këmbëngulur në heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.

KMDLNJ e quan ultimatum shantazhues të Mogherinit kërkesën për taksën e vënë nga Qeveria e Kosovës, si masë e skajshme kundër një politike skajshmërisht armiqësore dhe rrënuese të Serbisë ndaj Kosovës, e për të cilën Mogerini flet në ‘gjuhën e peshkut’, duke heshtur së bashku me burokratët përcjellës të BE-së.

Në reagim, KMDLNJ gjithashtu thekson se presidenti Hashim Thaçi, pa mandat kushtetues ndërhynë në mënyrë flagrante në punët e Qeverisë ndonëse mandatet i kanë të ndara dhe qartë të përcaktuara dhe për këtë, si xhoker dhe kërcënim e përdorë letrën e presidentit Trump kurse, si pykë për realizimin e këtij “detyrimi ndaj miqve amerikanë” i keqpërdorë Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryeparlamentarin Veseli, kryetar i PDK-së duke thënë se këta janë autorë të taksës 100% e jo kryeministri Ramush Haradinaj dhe, rrjedhimisht këta paskan të drejtë ta heqin këtë tarifë doganore.

“Mogherini, nuk brengoset aspak për qytetarët e Kosovës që dhunohen duke pritur deri në 8 orë në kufirin me Serbinë gjatë kthimit në shtetet perëndimore në kohën kur temperaturat bien nën 10 gradë, nuk brengoset se Serbia ka ndërtuar dhe e mirëmban sistemin paralel kriminal në të gjitha fushat, se nuk jep informacione për afërsisht 1650 qytetarë të Kosovës të të gjitha nacionaliteteve që janë të zhdukur, që organizon fushatë të egër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, që vret politikanë serbë në Kosovës, që BIA e Serbisë maltreton, merr në pyetje dhe shantazhon qytetarë serbë të Kosovës, bartës të pozitave të larta politike dhe publike (Stankoviq dhe Petroviq), që i detyron pjesëtarët – ushtarët e FSK-së të komunitetit serb të tërhiqen duke iu kërcënuar familjet dhe djegur veturat e shumë veprime tjera terroriste ndaj serbëve të Kosovës dhe vet Kosovës”, thuhet në reagim.

KMDLNj ka përkrahur taksën 100% si dhe ka kërkuar që të zbatohet reciprociteti 100% ndaj Serbisë për aq kohë sa Serbia të reflektojë si një shtet normal dhe nuk ndërhynë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur.

“Kushtëzimi , përveç se është vepër penale në të njëjtën kohë është edhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe si i tillë, jo që nuk duhet të pranohet por duhet të dënohet”, thuhet më tej në reagim.

KMDLNj vlerëson se taksa 100% e ka arritur qëllimin në mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe se do të përkrahë çdo qeveri që e zbaton reciprocitetin ndaj Serbisë.

“Mogerini, në vend që pa logjikisht i mbron mallrat nga Serbia dhe Bonja duke kërkuar heqjen e taksës 100%, duhet të brengoset se në sajë të mashtrimeve dhe premtimeve i ka ngujuar 2 milionë qytetarë të Kosovës në një geto të madhe duke iu pamundësuar lëvizjen e lirë, si e drejtë elementare e njeriut e të cilin kufizim nuk e ka asnjë qytetarë tjetër i shteteve evropiane”, përfundon reagimi.

KOMENTE