Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij, në përmbyllje të shërbimit në Kosovë, Shefin e Stafit të KFOR-it, Gjeneral Brigadierin e Ushtrisë Amerikane në Kosovë, Larry Henry.
Gjeneral Brigadieri Henry i dorëzoi Kryeministrit flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur më 8 nëntor, në nderim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Njësitin mbështetës të ShBA-së, në Film City në Prishtinë. Flamuri shoqërohet me përshkrimin: “Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave në luftë me forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës”.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjeneral Brigadierit Henry gjatë shërbimit të tij, dhe për rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ruajtjen e sigurisë në Republikën e Kosovës. Gjatë këtij takimi u bisedua për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, që është prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it. Njëherit, ky ishte takim njoftues me Shefin e ri të Stafit të KFOR-it, Gjeneralin Maier. /2LONLINE.com/