Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, priti në takim studentë nga universitetet më prestigjioze në botë, të mbështetur me bursa nga MAShTI.
Në takim u theksua puna dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Qeverisë për zgjerimin e mundësive për të rinjtë e veçanërisht për studentët, për zhvillim e punësim. U veçua vendimi i Qeverisë për arsimin e lartë publik pa pagesë për të gjithë, që studiojnë në nivelet bachelor dhe master, si dhe ndarja e mbi 3.000 bursave për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. U fol për domosdoshmërinë e mbylljes së hendekut gjinor në shkencë, ndërsa u theksua ndarja e 1.365 bursave për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM.
Duke ritheksuar se përkrahja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rinjtë nuk do të ndalet, u tha se me këto vendime synohet të nxitet interesimi për studime të larta, njëherit dhe përmirësimi i nivelit të përgjithshëm arsimor të popullsisë, duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor, si parakusht për zhvillim ekonomik e për progres shoqëror.
Në vazhdën e këtyre masave, MAShTI tashmë ka shpallur thirrjen publike për mbështetje financiare për studentët, që këtë vit janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në universitetet më prestigjioze në botë sipas listës “Times Higher Education”.
Përparësi do të kenë studentët që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe të teknologjisë informatike e komunikimit, aplikuesit me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët, të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike. Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra. /2LONLINE/