Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, takoi sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në takim u fol për rëndësinë dhe peshën e raporteve dypalëshe, partneritetin ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, për progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin me krizën energjetike, për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara.
Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime, u shpreh kryeministri Kurti në deklarimin për media pas përfundimit të takimit.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Escobar, ritheksoi mbështetjen e ShBA-ve ndaj aspiratave euro-atlantike të Kosovës dhe vullnetin për të punuar bashkë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për realizimin e tyre. Në fund, z. Escobar falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen, partneritetin dhe miqësinë. /2LONLINE/