Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim z.Francisco Esteban Perez, Komandant i Operacioneve Civile, njëherësh drejtor i Kapacitetit të Planifikimeve dhe Zhvillimeve Civile në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS).
Në takim ishin edhe z. Kauko Aaltomaa, Udhëheqës i Divizionit për Zhvillim të Operacioneve, Kapaciteti i Planifikimeve dhe Zhvillimeve Civile, në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, (EEAS), si edhe shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), z. Lars Gunnar Wigemark.
Me zyrtarët e lartë të BE-së u bisedua për rëndësinë që ka bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë me ato të drejtësisë. Ata shprehën përkushtimin dhe gatishmërinë e Bashkimit Evropian për vazhdimin e përkrahjes për institucionet dhe forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Kryeministri Kurti tha se në këta muaj të qeverisjes kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve që përbën progres të madh shoqëror.Ai e njoftoi z.Perez me reformat e nisura në sistemin e drejtësisë dhe përkushtimin institucional për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Ky takim vjen në kohën e miratimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, projekt-kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsion, që u veçuan nga kryeministri si veprime që do të forcojnë e avancojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Kryeministri Kurti theksoi se përgjatë tetë muajve të qeverisjes, nga Policia e Kosovës janë realizuar rreth 500 operacione, rreth 900 bastisje dhe janë shkatërruar 41 grupe kriminale. Dhe njëkohësisht kemi miratuar koncept dokumentin për vettingun drejt një prokurorie aktive dhe energjike, si dhe gjyqësori efikas e efiçient, tha ai. /2LONLINE.com/