Në pamundësi për të kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në lagjen Bronx të New Yorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka dërguar një letër urimi organizatorëve të ngjarjes. Nëpërmjet saj, kryeministri Kurti i ka përgëzuar inicuesit për angazhimin dhe punën e bërë për emërtimin e rrugës me emrin e heroit kombëtar.
Letra e plotë e kryeministrit Kurti:
“Ju faleminderit për ftesën tuaj për ta kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Crescent Ave dhe Arthur Ave në lagjen e Italisë së vogël në Bronx.
Përmes këtij urimi, më lejoni t’ju uroj përzemërsisht për angazhimin dhe punën që keni bërë për të realizuar këtë emërtim të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Aktualisht jam në Michigan dhe më vjen keq që nuk mund të jem sot aty me juve, mirëpo me të gjithë bashkatdhetarët së bashku ju përshëndesim nga tubimi ynë këtu në Detroit.
Heroi ynë kombëtar është në zemrat tona kudo që ndodhemi e ngado që shkojmë. Mërgata shqiptare është aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jeton në komunitet, organizohet politikisht dhe kërkon të lërë gjurmët e saj në topografinë urbane të Nju Jork-ut. Prandaj për të kujtuar identitetin shqiptar kërkon vendosjen e Skënderbeut dhe Fan Nolit si emra të rrugëve në Nju Jork.
Edhe një herë, ju falënderoj për ftesën tuaj dhe mezi pres që të bashkoheni në ngjarjet e ardhshme në Nju Jork”. /2LONLINE/