Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë. Kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri Kurti vizitoi Drejtorinë e porsa themeluar për Hetimin e Krimeve të Luftës, që në të kaluarën ka qenë në nivel sektori. Sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues.
U vlerësua struktura e re organizative e miratuar e Policisë së Kosovës, me të cilën ky sektor, që ka vepruar me gjithsej 19 zyrtarë hetues, është ngritur në nivel të drejtorisë, dhe në nivelin hierarkik dhe funksional është lidhur drejtpërdrejt me Departamentin Qendror të Hetimeve.
Nuk ka më prioritet se e vërteta dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës, jo veç për këtë brez, por edhe për brezat e ardhshëm, tha Kryeministri Kurti.
Duke i falënderuar për punën dhe angazhimin, Kryeministri Kurti ofroi mbështetjen e plotë për drejtorinë e re.
Kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e zbatimit të ligji për gjykimin në mungesë si dhe Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend.
Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, Kryeministri tha se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.
Ai theksoi rëndësinë e adoptimit të deklaratës pёr personat e zhdukur, me të cilën pas mohimit 24 vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovë. Veçoi dakordimin për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”. Po ashtu, theksoi dakordimin për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive potenciale në territorin e Serbisë.
Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, Gazmend Hoxha, Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të emëruar së fundmi, Bashkim Spahiu, hetuesit dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, u ritheksua zotimi i Qeverisë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.
Përderisa që nga nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj, procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar me strukturë, pra 41 sosh. /2LONLINE/