Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mori pjesë në edicionin e tretë të konferencës “Diaspora Flet”, e organizuar nga organizata GERMIN me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në fjalën e tij Kryeministri Kurti, tha se diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës.
Ai tha se brenda dyvjeçarit të parë të mandatit tonë kemi arritur t’i përfshijmë në diskutim mbi 20 qendrat kryesore ku jeton dhe vepron mërgata jonë. Gjithashtu, jemi angazhuar për të ofruar mënyra inovative për të përfshirë diasporën në proceset e hartimit të politikave duke u bërë pjesëmarrës aktiv në jetën e përditshme të vendit tonë. Andaj, në Qeverinë tonë ka ministria, ka zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë të angazhuar, të cilët vijnë nga diaspora.
Kryeministri Kurti u shpreh se po përmbushet edhe një zotim tjetër i qeverisjes për sa i përket procesit të votimit, i cili sipas tij parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.
Gjatë konferencës Kryeministri Kurti, deklaroi se bashkë me Shqipërinë, janë duke punuar te pjesa e mësimit plotësues, në veçanti ofrimi i librave për fëmijët, që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por edhe në planin e përbashkët për të adresuar sfidat e shumta që kemi për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit. Andaj, theksoi ai, këtë verë, në kuadër të Seminarit të Përbashkët të Gjuhës Shqipe, që do të mbahet në Shqipëri, theksi do të jetë te koncept-dokumenti për adresimin e sfidave që kemi para me mësimin plotësues të gjuhës jashtë vendit.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Kurti, u shpreh se vetëm duke e njohur rëndësinë e diasporës për zhvillimin tonë ekonomik, social dhe politik, e duke trajtuar atë si një pasuri të çmuar po dhe burim për zhvillim të gjithmbarshëm, do të mund të ndërtojmë një shtet më të fortë e më të qëndrueshëm.
Kryeministri ftoi të pranishmit që të marrin pjesë aktivisht në diskutimet dhe shkëmbimet, që do të zhvillohen gjatë kësaj konference sot dhe nesër.
“Së bashku, do të punojmë që të kemi një ndikim afatgjatë në vendlindjen tonë dhe të lëmë mbrapa një trashëgimi të prosperitetit për brezat e ardhshëm. Nuk kemi përgjegjësi për botën të tillë çfarë e kemi gjetur, por kemi përgjegjësi për botën çfarë ua lëmë brezave që vijnë pas nesh, e për shkak se kemi përgjegjësi, le të jemi të përgjegjshëm”, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti pas kësaj konference, vizitoi panairin e bizneseve me pronare gra, që mbështetet nga GERMIN, e të cilat mentorohen nga diaspora. /2LONLINE/