Sot jam shumë i gëzuar që ju si matematikanë dhe fizikanë të rinj keni fituar vendet e para, të dyta dhe të treta, siç keni fituar medalje të artë, argjendtë e të bronztë, e shpërblime të tjera në gara vendore e ndërkombëtare, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e hapjes së ceremoninë së ndarjes së shpërblimeve për nxënësit e shkollave të Kosovës.
Kryeministri tha se shpreson që këto shpërblime të jenë nxitje shtesë për nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin prirjet dhe pasionet e tyre, dhe që mësimet shkollore dhe dijet e marra t’i përkthejnë pastaj në shpikje të vyera, inovacione kreative dhe metoda funksionale, kudo që do të punojnë në të ardhmen.
Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Kryeministri Kurti së bashku me Ministren Nagavci, ndanë shpërblime për sukseset e treguara të nxënësve në gara të matematikës dhe të fizikës, përfshirë Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, Garat Republikane të Fizikanëve të Rinj, Olimpiadën e Matematikës Kosovë – Shqipëri, Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare, Math Kangaroo dhe Kupën Matematike Evropiane. /2LONLINE/