Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, mori pjesë në vënien e gurthemelit të fabrikës së prodhimit të dyerve dhe dritareve në Verbicë të Kmetocit, të Komunës së Gjilanit, “EDI Fenster”.
Me këtë rast, kryeministri shprehu kënaqësinë e madhe që ishte aty bashkë me investitorin Arsim Hashanin, i cili po kthehet në vendlindjen e tij pas 22 vjetëve që të investojë në një fabrikë e cila do të bëjë prodhimet të dyerve, dritareve, e të roletave.
“Është shembull i një bashkatdhetari tonë i cili në moshën 14 vjeçare shkon në mërgim dhe pas 22 vjetëve kthehet në vendlindje me tre fëmijë dhe si investitor i cili do të ketë 50 fillimisht e më pastaj 150 punëtorë në këtë fabrikë”, u shpreh kryeministri.
Nga ana e kryeministrit nuk mungoi zotimi se kjo fabrikë do ta ketë mbështetjen e institucioneve sepse ekonomia e vendit sa ma shumë zhvillohet aq më i lartë është punësimi, eksporti, kontributi në buxhet dhe zvogëlimi i mbështetjes sociale që ka nevojë t’ia bëjë shteti qytetarëve të vetë.
“Prandaj investimet e këtilla na e rrisin shpresën dhe na e shtojnë zellin për punë të mbara e të mira edhe në të ardhmen andaj ju përgëzoj z. Arsim, përgëzime kryetar Alban, Arjeta, Atdhe dhe të gjithë juve”, tha kryeministri Kurti.
Fabrika, e ndarë në katër sektorë, do të bëjë prodhimin e dyerve, dritareve, roletave dhe përpunimin e materialit të xhamit. Investimet në këtë fabrikë, përfshirë logjistikën, parashihen të arrijnë vlerën deri në 10 milionë euro, kurse 95% e prodhimit planifikohet që të ketë për destinacion tregun e jashtëm.
Ndërsa, kreu i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni thotë se diaspora jonë po kthehet. Shpresa për Kosovën, me theks të veçantë për qytetin e Gjilanit, për jetë të mirë e zhvillim, po jetësohet.
“Arsim Hashani është bashkatdhetari nga Gjilani, te i cili, sot, bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, ishim në gurëthemelin e fabrikës “EDI fenster”. Si 14 vjeçar, ai e la Kosovën e Gjilanin. 22 vite më vonë, Arsimi u kthye në Verbicë të Kmetocit, në Gjilan, për të realizuar ëndrrën e tij. Investimi rreth 10 milionësh, do të punësojë afër 150 persona. Produktet finale, mbi 90% do të eksportohen. Diaspora jonë po kthehet. Shpresa për Kosovën, me theks të veçantë për qytetin e Gjilanit, për jetë të mirë e zhvillim, po jetësohet”, thotë kryetari Hyseni. /2LONLINE/