Paraditen e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori pjesë në ekspozitën e botimeve në gjuhë të huaja për Kosovën të titulluar “Kosova në gjuhët e botës”. Kjo ekspozitë u hap për publikun nga 25 marsi 2024 dhe u organizua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Si një ndër aktivitetet e AShAK-ut për shënimin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, kryeministri Kurti u njoftua nga kryetari i Akademisë, Mehmet Kraja, për llojllojshmërinë e tematikave të qindra librave dhe botimeve në shumë gjuhë të huaja, të cilat përveçse pasqyrojnë ndërhyrjen e NATO-s, përfshijnë edhe mbështetjen ndërkombëtare ndaj Kosovës, si dhe pjesë të historisë së popullit tonë në kohë lufte.
Me këtë rast, kryeministri gjatë bashkëbisedimit përmendi edhe botime nga autorë të huaj si studiues, gazetarë e publicistë, të cilët përmes shkrimeve e botimeve të ndryshme kanë sensibilizuar personalitetet me ndikim të botës demokratike rreth situatës në Kosovë gjatë viteve ’90-ta, me fokus intervenimin e suksesshëm të Aleancës Veriatlantike – NATO-s.
Në këtë aktivitet, kryeministri Kurti u prit nga Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, nënkryetarja, Justina Shiroka – Pula, sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës së AShAK-ut, Fetah Podvorica, dhe sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Gjyljeta Mushkolaj. /2LONLINE/