Sot u shënua 34-vjetori i grevës së minatorëve të Trepçës. Në ceremoninë solemne, të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Duke kujtuar kontekstin dhe grevën e vitin 1989, kryeministri tha me veprimet e tyre minatorët po e mbronin Kosovën nga politikat diskriminuese dhe shtypëse të diktatorit serb në ngritje Sllobodan Millosheviqit dhe përpjekjes për ta revokuar autonominë e Kosovës. Ai shtoi se për tetë ditë, deri më 28 shkurt 1989, horizonti i tetë dhe i nëntë i zgafellës së Xeherores së Stantërgut, në rreth një mijë metra nën tokë, u kthyen në fronte politike që e dridhen gjithë Jugosllavinë.
“1300 minatorët grevistë të Trepçës, sic theksoi ai, ishin 1300 ushtarët e parë që e nisën luftën, e cila pas një dekade rezultoi me çlirimin e Kosovës, ndonëse konteksti historik i kohës së atëhershme ishte shumë -shumë kompleks”, deklaroi kryeministri.
34 vjet nga greva, 24 vjet nga lufta dhe 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, teksa kujtojmë kapacitetet e atëhershme të saj dhe ngritjen e nivelit të punës së saj sot, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë sonë, mbetet që nga një gjigand i cili konsiderohet i fjetur, Trepça të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës së kësaj ndërmarrjeje, përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore.
Gjatë dy viteve të para të mandatit, kryeministri theksoi se është punuar me zell që të zhvillohen ndërmarrjet publike, duke i përkrahur në luftimin e krimit e korrupsionit përbrenda, për të tejkaluar vështirësinë financiare, për ta zënë hapin në treg dhe për ta rritur performancën e për t’i ngritur pra rezultatet. Për më tepër, Qeveria e ka përkrahur Trepçën me subvencione për investime kapitale dhe për t’u përballur me krizën energjetike, 8.2 milionë euro në vitin 2021 dhe 8.3 milionë euro në vitin 2023.
E për këto dy vjet, ai tha se kemi parë përparim te Trepça.
“Udhëheqja e re e ndërmarrjes e ka rritur prodhimin dhe të hyrat, i ka ulur shpenzimet operative dhe ka vendosur rend e disiplinë në punë. Në dy vitet e fundit, të hyrat e Trepçës janë rritur për 50% në krahasim me vitet 2018-2020. Në 2018-2020 kanë qenë 14 deri në 15 milionë euro, e tash janë 21 deri në 22 milionë euro. Vetëm gjatë vitit që shkoi, të hyrat nga koncentrati i Plumbit dhe Zinkut janë rritur për 11%, ndërsa shpenzimet operative janë ulur për 15% në krahasim me vitin paraprak. Kështu, edhe humbjet janë ulur nga 2 deri në 5 milionë euro në baza vjetore që kanë qenë me herët, në 690 mijë euro në vitin 2021, e vetëm 126 mijë euro në vitin 2022”, veçoi kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti gjithashtu u uroi minatorëve dhe qytetarëve të Mitrovicës fitoren e mbrëmshme të klubit të basketbollit Trepca në finale e Kupës së Kosovës në basketboll. /2LONLINE/