Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në demonstrimin e xhudos nga Kampionia Olimpike e Xhudos, Majlinda Kelmendi, në sallën sportive “Minatori”, në Mitrovicë.
Në këtë aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të programit “Kosova, shteti i xhudos” dhe ka për qëllim promovimin e vlerave dhe sportit të xhudos, kryeministri Albin Kurti shprehu kënaqësinë dhe nderin që në atë mes ishte e pranishme e arta e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi.
Rrugëtimi i Majlindës përgjatë karrierës së saj sportive sipas kryeministrit është shndërruar në simbol të shpresës dhe të përkushtimit në Republikën e Kosovës e anembanë botës, kështu duke u bërë sinonim i inspirimit dhe i suksesit për secilin prej nesh. Me këtë rast, ai konsideroi se virtytet e saj e bëjnë atë një kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri vlerësoi lart edhe kontributin e trajnerit të xhudos Driton Kuka, i cili që nga viti 2009 i ka sjell Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, 87 të arta, përfshirë edhe 3 medaljet e arta olimpike. Kësisoj, sporti i xhudos dhe Toni, Majlinda, Distria e Nora, janë pjesë e pandashme e historisë tonë kolektive për shtetndërtim, zhvillim e suksese, të cilat shërbyen si motiv që sot të iniciohet programi “Kosova, shtet i xhudos”.
Nën praninë e nxënësve të shkollave të ndryshme mitrovicase, kryeministri Kurti njoftoi këta ta fundit se me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët mësimore, me ç’rast nxënësit do të fillojnë të ushtrojnë sportin e xhudos nëpër shkollat e tyre. Bindshëm ky vendim do të mundësoj që në secilën shkollë të identifikohen shumë talente të cilëve do të ju ofrohet mundësia të ndjekin rrugën e Majlindës drejt sukseseve kulminante.
Në fund, kryeministri përcolli falënderimet e tij për të artën Majlindë, zëvendësministren e Kulturës, Rinisë e Sportit, Daulina Osmani, nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri dhe për të gjithë të pranishmit. /2LONLINE/