Liria fetare zë një vend të veçantë në një shoqëri të lirë dhe të hapur siç është Republika e Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të dëgjimit publik për Projektligjin për Liritë Fetare.
Në këtë takim të ftuar nga Zyra e Kryeministrit, të pranishëm ishin edhe z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jeffrey M. Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prijës e përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të institucioneve e organizatave vendore e ndërkombëtare.
Ligji bazik për Lirinë Fetare, i cili është aktualisht në fuqi, u miratua më shumë se 15 vjet më parë, me 24 gusht 2006, d.m.th. gati një vit e gjysmë para shpalljes së pavarësisë dhe dy vjet para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, tha Kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri veçoi një ndër qëllimet e Projektligjit që do të diskutohet sot, që është përditësimi i kornizës ligjore për lirinë fetare, për të rritur përputhshmërinë e saj me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën tonë. Përkatësisht, neni 38 i Kushtetutës përcakton se “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar”. Dhe “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për te pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie ose grupi fetar”.
Kryeministri theksoi se mendime dhe besime të ndryshme vazhdimisht po hyjnë dhe qarkullojnë lirshëm midis qytetarëve tanë tërë kohën. Në një vend të tillë të hapur e të lirë, me qarkullim të vazhdueshëm të mendimeve nga brenda dhe nga jashtë, është e pamundur që të gjithë individët të ndajnë të njëjtat bindje fetare. Përkundrazi, diversiteti i bindjeve fetare mes popullatës është i pashmangshëm. Pluralizmi i besimit, siç e kanë vërejtur shumë filozofë politikë, është një fakt i përhershëm dhe i pandryshueshëm i një shoqërie demokratike. Një ndër qëllimet më të rëndësishme të Projektligjit, që do të diskutohet sot, është pikërisht qëllimi për të ruajtur dhe për të promovuar këtë pluralizëm fetar, theksoi Kryeministri Kurti.
Ai tha se ndryshimet e propozuara me këtë projektligj, dëshmojnë se Qeveria jonë e merr seriozisht detyrimin jo vetëm për të garantuar respektimin e plotë të lirisë fetare, por edhe për të siguruar, që kjo liri të garantohet në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët pa dallim. /2LONLINE/