Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me kryeministrin e Republikës, Albin Kurti, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë prezantuar buxhetin për vitin 2023 për Gjilanin, në takim me qytetarët.
Kryetari Hyseni, i cili së bashku me kryeministrin Kurti kanë marrë pjesë në debat nëpërmjet lindhjes direkte nga Vjena, ka thënë se si asnjëherë më parë, rreth 33 milionë euro është buxheti për Gjilanin, e mbi 46.5 milionë euro investime kapitale.
“Në vlerë totale mbi 46.5 milionë euro arrijnë edhe investimet kapitale nga niveli qendror, 8.5 milionë prej të cilave përfshihen në investimet kapitale të buxhetit komunal për vitin 2023, i cili arrin shumën 32,599,281”, ka thënë kryetari Hyseni.
Pas prezantimeve fillestare për buxhetin, ministri Murati dhe ministrja Nagavci patën mundësinë të bashkëbisedojnë me qytetarët duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të tyre në detaje mbi ndarjet buxhetore dhe projektet për vitin e ardhshëm.
“Më shumë për komunën, për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë, shërbimet publike, sportin, kulturën e rininë. Më shumë investime kapitale. Më shumë për çdo fushë tjetër”, është shprehur kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. /2LONLINE/