Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim një grup studentësh dhe të rinjsh nga mërgata, anëtarë të shoqatës Albanian Youth Organization Mannheim/Heidelberg (AYO), VaS, Shoqatës Studentët Shqiptarë Stuttgart dhe Social Studies Diversity and Inclusion Expert, me të cilët bashkëbiseduan e shkëmbyen ide për mundësitë se si mund të kontribuojnë në Kosovë.
Në takim u diskutua për shërbimet që i ofrojnë mërgatës institucionet e Kosovës dhe për projektet e mundshme në të ardhmen nëpërmjet të cilave do të mund të ndërtoheshin ura bashkëpunimi midis rinisë në Kosovë dhe asaj në mërgatë.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore.
Ai përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit dhe inovacionit.
Kryeministri tha se ne po e ndryshojmë qeverisjen për të mirë, por mund të duhet pak më shumë kohë që ‘brain-drain’ të fillojë të ndryshojë kursin për mirë dhe përfundimisht të bëhet një kthesë e fortë e ‘brain-gain’.
Të kesh njerëzit dhe profesionistët e duhur në vendet e duhura është thelbësore, prandaj ne jemi shumë të interesuar si qeveri për të tërhequr profesionistë të talentuar, brenda apo jashtë vendit, theksoi ai.
Të rinjtë nga mërgata e njoftuan kryeministrin për aktivitetet e shoqatës dhe organizatave të tyre dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me të rinjtë nga Kosova. /2LONLINE/