Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve në përkujtim të masakrës në Studenicë të Istogut, sot ka bërë homazhe edhe në Llashticë të Gjilanit. I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti vendosi lule dhe mbajti një minutë heshjte në kujtim të civilëve të vrarë.
Me këtë rast, kryeministri tha se jemi këtu që të ndajmë dhembjen e pikëllimin për këta 26 martirë, po në të njëjtën kohë të shprehim edhe mirënjohjen dhe falënderimin tonë të thellë për qëndresën gjatë këtyre viteve. Ai shtoi se ne nuk e harrojmë kurrë që rrënjët e shtetit që e kemi dhe të lirisë që e gëzojmë janë te gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të kombit.
Kryeministri theksoi se teksa forcat e Serbisë me gjenocid përpiqeshin ta shfarosin popullin shqiptarë, në Llashticë i vranë 26 qytetarë të pambrojtur, civilë të pafajshëm, të cilët dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre dhe të kujdesen për familjet e tyre.
“Këtu ka ndodhë një vrasje e trefishtë e gjithë atyre, së pari ekzekutimi, më pastaj djegia e kufomave dhe gjithashtu rrafshimi i shtëpive me buldozer në kuadër të përpjekjeve për t’i fshehur gjurmët e krimit”, tha Kryeministri. Ai shtoi se “aq shumë kriminelët nga Serbia ishin të preokupuar me shkatërrimin e gjurmëve të krimit, me eliminimin e kufomave, sa që nuk kishin asnjëherë dilemë se a do t’i vrasin shqiptarët apo jo, por vetëm si të mos merret vesh se këta ishin vrarë”.
“Prej foshnjës tri javëshe deri te plaka 90 vjeçare, nuk ka dëshmi më të qartë se ajo çfarë na ka ndodhë para 25 vjetëve ka qenë gjenocid”, tha kryeministri. Ai i bëri thirrje prokurorisë dhe gjyqësorit që të mos kalojë koha e të na vdesin dëshmitarët e moshuar e të zhduken evidencat materiale, por të trajtojnë me urgjencë rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se plagët ngelen të hapura atëherë kur nuk ka drejtësi. /2LONLINE/