Me rastin e 14-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca, bënë homazhe dhe vendosën kurorë lulesh te varret e dëshmorëve, heronjve dhe veprimtarëve politikë.
Të tre udhëheqësit shtetërorë, shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe dhe vendosën një kurorë me lule të freskëta te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Në nderim të kontributit të ish Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova, në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, kryeministri Kurti bashkë me Presidenten Osmani Sadriu, dhe Kryeparlamentarin Konjufca vendosën një kurorë me lule të freskëta te varri i tij.
Me homazhe para varrit dhe vendosje të kurorës me lule u nderua edhe veprimtari Adem Demaçi, që jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. /2LONLINE/