Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kornizën e Qeverisë së Kosovës për dialogun.
Para anëtarëve të Akademisë, kryeministri Hoti tha se që nga marrja e detyrës ka punuar intensivisht me kolegët e tij në kabinetin qeveritar dhe ka zhvilluar diskutime intensive me partnerët në qendrat kryesore, në Bruksel fillimisht, në Uashington, në Berlin edhe në Paris, për të rikonfirmuar edhe një herë vullnetin e Qeverisë për të hyrë në procesin e dialogut, por edhe në të njëjtën kohë duke ua prezantuar atyre qasjen e koalicionit qeverisës në këtë proces.
Kryeministri Hoti tha se ka pasur takime me liderët e partive politike, grupeve parlamentare, dhe ka dërguar ftesë edhe tek opozita, derisa theksoi se një pjesë e opozitës nuk janë përgjigjur fare, një pjesë e opozitës kanë shprehur vullnet, por nuk kanë arritur ende të takohen bashkë dhe të prezantojnë këtë qasje të qeverisë së re karshi procesit të dialogut.
“Tani kjo është platforma jonë, kjo është korniza jonë për dialogun. Dialogu do të zhvillohet vetëm mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës. Dialogun e udhëheqë Kryeministri i vendit. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet javëve dhe muajve të fundit. Unë nuk do të bëj kurrfarë gare me bartësit tjerë institucional, sepse kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta për të gjitha çështjet përfshirë edhe procesin e dialogut, por në veçanti për procesin e dialogut kompetencat e mia si kryeministër janë betonizua edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha kryeministri Hoti.
Sa u përket parimeve të dialogut, kryeministri Hoti, theksoi tri parimet kryesore:
Parimi i parë është që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm;
Parimi i dytë është që organizmi kushtetues dhe shtetëror i Kosovës është i panegociueshëm; dhe së treti, marrëveshja që do të duhet të arrihet, duhet të jetë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto, siç tha kryeministri, janë tri parimet bazike që do të na udhëheqin në procesin e dialogut.
Më tej, kryeministri Hoti, tha se ajo çfarë synojmë në procesin e dialogut, është njohja reciproke, duke potencuar se nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, e cila nuk siguron njohje reciproke.
“Jo njohje reciproke të përkohshme, të modeleve të dy Gjermanive ose të modeleve të tjera ndërkombëtare siç janë përmendur nëpër tryeza të ndryshme, por njohje reciproke që na siguron ulëse në OKB, menjëherë, dhe na siguron menjëherë gjithashtu njohje nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, u shpreh kryeministri Hoti.