“Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, morëm “Po”-në e Gjermanisë për liberalizimin e vizave. Faleminderit Kancelares Merkel dhe shtetit Gjerman për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës”, kështu ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi që ka zhvilluar sot me ministrin gjerman Horst Seehofer, gjatë vizitës zyrtare në Berlin.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj dhe ministri Seehofer biseduan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin e Brendshëm gjerman, Seehofer, për prioritet e Qeverisë së Kosovës në zhvillim ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, proceset eurointegruese dhe euroatlantike dhe përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Kryeministri Haradinaj dhe ministri Seehofer kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilën kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces, pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian.
Ndër të tjerash, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar ministrin Seehofer për përkrahjen e madhe të Gjermanisë për shtetin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit në shumë fusha të ndryshme, në veçanti atë të zhvillimit ekonomik.
“Gjermania ka dhënë kontribut të rëndësishëm për Kosovën në të gjitha periudhat duke qenë mbështetëse e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të Kancelares Merkel në procesin e Berlinit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.