“Ne jemi bashkë për ta përkrahur njëri tjetrin, për ta zhvilluar njëri tjetrin dhe për ta përmirësuar mirëqenien tonë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim përfaqësues të komunitetit malazez në Kosovës, të kryesuar nga Slobodan Vujiqiq, Kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve si dhe marrëdhëniet ndërmjet dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi.
Kryeministri Haradinaj gjatë takimit, gjithashtu theksoi nevojën e avancimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dyja vendeve dhe përkushtimit për përmirësimin e të drejtave dhe përfshirjes së këtij komuniteti në shoqërinë kosovare.
“Në muajin korrik ne do të hapim edhe Qendrën e zhvillimit të malazezëve të Kosovës, e cila do të jetë adresë qendrore dhe mekanizëm kyç, përmes së cilës do të implementohet strategjia e integrimit të malazezëve dhe fuqizimit të marrëdhënieve Kosovë – Mali i Zi”, kështu tha Kryeministri Haradinaj, duke i dhënë mbështetje afirmimit të mëtejshëm të vlerave të popullit malazezë që jeton në Kosovë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e këtij komuniteti, falënderuan kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep komunitetin malazez, me përkrahjen në projekte të ndryshme.