Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se niveli i dobët në Testin PISA është një temë shumë me rëndësi, një nivel që është për çdo kritikë.
“Kemi Testin PISA, i cili është nxjerr shumë i dobët, shumë keq dhe që na turpëron si Kosovë. Më së miri për ne është t’i shohim shkaqet pse është kështu”, theksoi kryeministri, duke shprehur gatishmërinë për kontributin e tij dhe të Qeverisë për të ndryshuar këtë gjendje.
Duke cilësuar programet parashkollore si jo atraktive, kryeministri Haradinaj tha se ato nuk përputhen me parametrat e nevojshëm për më tutje.
Kryeministri tha se mos koordinimi në mes të Ministrisë së Arsimit dhe të Komunave, shpie deri te një implementim jofunksional, duke shprehur bindjen se edhe plan- programet shkollore për nivelin fillor dhe të mesëm, janë ende eksperimentale, dhe se shkollat tona janë punuar vetëm si objekte dhe jo si qëllim edukimi, duke mos dhënë porosinë si institucion arsimor.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj shprehu shqetësimin për humbjen e madhe të orëve mësimore, që ndikojnë në mungesën e njohurive tek nxënësit, duke thënë se edhe vlerësimi i notave dhe kriteret e përdorura nuk mjaftojnë për epilog.
“Është një moment i mirë, që t’i tregojmë vetes që s’jemi mirë, t’i identifikojmë problemet, problemi i politizimit të shkollave, që është një sëmundje e rëndë që e ka kap arsimin”, theksoi kryeministri Haradinaj.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7350