Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me stafin e tij dhe me familjarë të dëshmorëve, kanë bërë sonte ndezjen e flakadanit të “Flakës…”, për të shënuar kështu edhe simbolikisht fillimin e manifestimit mbarkombëtar “Flaka e Janarit”, që i dedikohet heronjëve dhe dëshmorëve të rënë në janarët e acartë për lirinë e Kosovës.
Me këtë rast kryetari Lutfi Haziri ka thënë se heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë të rënët në luftën për liri janë ata që i sollën këtij vendi lirinë dhe që po e ruajnë atë vazhdimisht.
“Këtë flakadan, sikur sonte edhe vitin e kaluar e kemi ndezur bashkërisht me familjet e dëshmorëve. Sonte përveq mungesës së dëshmorëve, është edhe mungesa e migjës Rexhep, i cili është ndar nga jeta dhe u është bashkuar këtyre shpirtave të bardhë që sot bëjnë dritë mbi lirinë e Kosovës. Kalendari i Flakës nëpër të gjitha shtyllat, i kushtohet respektit dhe nderimit të veprës së dëshmorëve të kombit. Ky vit i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu dhe 50-vjetorit të dëmonstratave për flamur”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka bërë të ditur se nga ky vit do të punohet që kalendari i flakës të jetë më i hapur, më gjithëkombëtar dhe ndërkombëtar.
“Këto ndryshime do të bëhen, sepse vlerat e dëshmorëve tanë brenda kombit tashmë i njohim të gjithë, por këto vlera do t’i bëjmë edhe më ndërkombëtare. Do t’u tregojmë edhe të tjerëve se çfarë vlerash, çfarë heronjësh e dëshmorësh kemi. Flaka e Janarit, pas 27 vjetësh do të merr konotacion dhe hapësirë ndërkombëtare”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
“Dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës janë figurat që na mësuan se si luftohet për liri dhe ata janë që po e ruajnë këtë liri. Sa për ne të gjallët, dyshoj edhe unë që kjo liri ishte marrë moti kohë nëpër këmbë. Faleminderit veprës dhe kujdesit të tyre”, ka përfunduar kryetari Lutfi Haziri.
Kurse Fitore Malaj, vajza e dëshmorit Rexhep Mala, në emër të familjeve Mala e Berisha, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për përkushtimin e treguar dhe për angazhimin në nderim të dëshmorëve, heronjëve dhe gjithë të rënëve për liri.
“Sot i ndezëm këta flakadanë. Kështu i ndezën para 34 vitesh flakadanët e lirisë edhe Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Ata ndezën flakadanin e lirisë së Kosovës. Ndjehemi shumë të nderuar si familje për respektin dhe nderimin që i bënë Komuna e Gjilanit dhe gjithë Kosova, heronjëve tanë”, ka thënë ajo pas ndezjes së flakës.
Aktivitetet e Flakës…” vazhdojnë me 17 janar me akademinë që i kushtohet dëshmorëve të rënë, dhe përfundon me 31 janar kur edhe bëhet mbyllja e manifestimit shumëkulturor dhe mbarkombëtar “Flaka e Janarit”.
Për ndryshe, me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Kuvendi i Komunës e ka shpallur qytetar nderi bashkëshorten e dëshmorit Rexhep Mala, Hanifen dhe babain e dëshmorit Nuhi Berisha, Rexhep Berishën.