Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Gjilan, Nazim Gagica, priti në takim deputetët e Parlamentit të Kosovës nga radhët e Aleancës, kryesuar nga Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri.
Kryetari Gagica, me bashkëpunëtorë, i informuan deputetët për zhvillimet e gjithmbarshme në Komunën e Gjilanit.
“Së bashku ndamë mendimin se Gjilani për herë të parë dhe të fundit ka përjetuar investime kapitale qindra miliona euro vetëm në kohën e Qeverisë Haradinaj. Disa projekte janë stopuar nga Qeveria Kurti, disa janë eliminuar e asgjë nuk i ka mbetur Gjilanit”, thotë Gagica.
Ai shtoi se magjistralet Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj, janë shndërruar në rrugë të vdekjes, ku çdo ditë më së paku i kemi disa aksidente, e jo rrallë herë edhe me fatalitet.
“AAK në Gjilan është konsoliduar si asnjëherë më parë. Ish-anëtarë me kredibilitet të lartë intelektual, kombëtar e politik kanë nis të rikthehen sepse vlerësimi i tyre është se Aleanca dhe Haradinaj janë alternativa e vetme që paraqet zhvillim ekonomik e paqe të qëndrueshme”, thotë tutje Gagica.
Sipas tij, Dega në Gjilan i është mirënjohës Grupit Parlamentar të AAK-së i cili është zëri i vetëm opozitar në Kuvendin e Republikës, dhe për trajtimin e temave me interes për vendin dhe qytetarët nga deputetët tanë. /2LONLINE/