Poezi e deklamuar në Orën Poetike, të mbajtur në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, për t’u nderuar figura e Heroit të Kombit, Idriz Seferit.
Kreshniku i Karadakut në vargje
Sarë GJERGJI
SHQIPËRINË S’E BËMË DOT
(Idriz Seferit)
1.
Në librat e Don Mikelit në Stubëll shkruan
se Idriz Seferi lindi në Motin e Madh
të Martirëve të Karadakut,
më 1847
njësoj si në rrëfimet biblike, Hyji Atë
e sprovoi me dëbim nga Toka amë
e Ai, kurrë nuk e humbi besimin në Të
Që nga ai Mot në shenjë
Tokën e Premtuar e kishte ëndërr të përditshme
2.
105 vjet mendja jonë e burgosur
shpirti ynë i tretur
dhe ngjyra gri e atdheut
sa herë na kujtoheshe
a ndokush nën dhëmbë emrin tënd pëshpëriste
ne të vrisnim
kur në shkëmbinj katedralesh
gdhendej fytyra jote
dilnim mendsh fare e sërish të vrisnim
s’durohej mustaku yt
s’durohej shikimi yt
as hapi yt s’durohej
emri yt prej shenjtori t’kallte datën
Ne vetëm gënjejmë e gënjehemi
e bëjmë sikur bij të dritës jemi
dhe tej kënaqemi kur me terrin shëmbëllejmë
3.
Tash që sërish n’Gjilan erdhe
ngjitu Majës së Zezë
e shih Luginën dhe Shkupin
sa larg na janë degdisur
se Shqipëria pa Ty s’u bëka