Presidenti i Federats së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi së bashku me anëtarët e KE të FFK-së, kanë pritur sot në selinë e FFK-së delegacionin e Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane të kryesuar nga kryetari i saj, Nazmi Viqa dhe anëtarët Remo Rashica, Vëllaznim Kelmendi dhe Burim Hazrolli.
Presidenti Ademi në emër të KE të FFK-së edhe një herë falënderoi drejtuesit e këtij Unioni që e kanë zgjedhur pikërisht FFK-në për të qenë partnerë në projektet e përbashkëta, e që për qëllim kanë përmirësimin e kushteve të futbollit, si dhe për tërë kontributin dhe ndihmën e tyre që kanë dhënë në vazhdimësi për Kosovën.
Ai theksoi se puna e mirë dhe serioziteti i FFK-së kanë bërë që ky partneritet të thellohet, e ku si rezultat i marrëveshjes së mëhershme ndërmjet dy palëve shumë shpejt do të fillohet me ndërtimin e fushave stërvitore në të gjitha regjionet e futbollit në Kosovë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë edhe me komunat.
Në anën tjetër, kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane, Nazmi Viqa ka thënë se marrëveshjen me FFK-në e kanë bërë me kënaqësi të madhe, duke pasur parasysh imazhin e këtij institucioni. Ai theksoi se sporti i bashkon njerëzit kudo, teksa futbolli dhe sporti kosovar në përgjithësi kanë dhënë shembullin e imazhit të mirë të shtetit të Kosovës, duke qenë ambasadorët më të mirë të vendit.
Ai theksoi se ka qenë dëshirë e kamotshme e të gjithë anëtarëve të Unionit të Bizneseve që ta japim kontributin e tyre për Kosovën dhe është vlerësuar se sporti, përkatësisht futbolli është segmenti i duhur ku duhet shtrirë kontributin e tyre.
Në fund të këtij takimi presidenti Ademi ndau nga një dhuratë të veçantë për delegacionin e UBSHGJ-së dhe më pas shtroi edhe drekë të përbashkët, njofton FFK. /2LONLINE.com/