/Fjala e Krenare Latifi Kqiku nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Gjilanit, për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së”/
Të nderuara familje të dëshmorëve, veteran dhe invalid të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I nderuari kryetar Komunës, i nderuari Kryesues i kuvendit, gjithë ju kuvendarë, të nderuar qytetarë të Gjilanit dhe gjithë Kosovës.
Sot, mbarë kombi shqiptar përulet me nderim të thellë përpara sakrificës sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari, bijve dhe bijave të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë.
Beteja epike e familjes Jashari me në krye Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, vuri gjakun e 59 martirëve në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.
Se sa i shtrenjtë është çmimi për liri, më së miri e tregoi familja Jashari, këtu e 25 vite më parë i treguan mbarë botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarinë.
Epopeja e UÇK-së me datat 5, 6 dhe 7 mars është krenari kombëtare!
Lufta e lavdishme për liri të Kosovës, gjaku i dëshmorëve, sakrificat e martirëve tanë janë themeli i fortë mbi të cilin po ndërtohet e sotmja dhe e ardhmja e popullit të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.
Lavdi përjetë Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari.
Lavdi heronjve të Prekazit legjendar, bijve dhe bijave të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar që derdhën gjakun e tyre në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur! /2LONLINE/