(2L ONLINE) – Shënimi i shtatë vjetorit të Pavarësisë, në Kamenicë nisi me vizitën e kryetarit të Komunës Begzad Sinani me bashkëpunëtorë te varrezat e dëshmorëve, për të vazhduar me aktivitete tjera.
Kryetari Sinani, tha se në këtë ditë, pashmangshëm kujtohen dëshmorët e rënë për liri, liri që i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.
“Sot përkujtojmë sakrificën e popullit për liri dhe pavarësi. Përkujtojmë dëshmorët, heronjtë që dhanë më të shtrenjtën-jetën e tyre. Nderojmë veprën e tyre sublime para së cilës përulemi gjithmonë dhe nderojmë familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës”, tha veç tjerash kryetari Sinani.
Pas kësaj vizite, aktivitetet për shënimin e 17 shkurtit, kanë vazhduar me mbajtjen e një seance solemne të Kuvendit Komunal të Komunës së Kamenicës.
Para të pranishmëve, kryetari Sinani tha se ky përvjetor i pavarësisë, Kosovën e gjen me shumë sfida, tejkalimi i të cilave kërkon dije, guxim, profesionalizëm dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrave që na janë dhënë si besim nga ana e qytetarëve të vendit tonë./2L ONLINE/