Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në ShBA është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, njëherësh i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
“z. Escobar i shpreha qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-në për ne është pa alternativë, edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që na jep në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare – përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB”, ka thënë Krasniqi.
Postimi i tij i plotë:
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në SHBA, takova Zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit, që është edhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar. Në pritjen e organizuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, para së gjithash, z. Escobar e falënderova për të gjitha etapat e mbështetjes së palëkundur amerikane ndaj vendit tonë.
Arritjet tona më të mëdha kombëtare, si çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës, u realizuan edhe falë mbështetjes së parezervë amerikane dhe përmes koordinimit strategjik me SHBA-të. Një tregim suksesi i jashtëzakonshëm, i cili u bë i mundur vetëm falë besimit të dyanshëm, sinqeritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë, që mund ta kenë vetëm dy aleatë të përkushtuar.
Z. Escobar i shpreha qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-në për ne është pa alternativë, edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që na jep në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare – përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
Gjatë takimit diskutuam edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër.
Po ashtu, z. Escobar e sigurova se PDK do ta ofrojë gjithë mbështetjen dhe ndihmën e saj për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës, konform seriozitetit të situatës së re gjeopolitike në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë.
Në fund të takimit, z Escobar e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm.
Kur Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me SHBA-të është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm. /2LONLINE/