Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se është koha e fundit që politika kosovare ta instalojë institucionin e moralit brenda veprimit të saj. Krasniqi, edhe pse ka theksuar se nuk dëshiron që të përzihet në vendimet të cilat i marrin gjykatat, mendon se vendimi i cili është shqiptuar për të parin e Prizrenit është paksa i çuditshëm, “përderisa ka pasur keqpërdorim të pronës publike, që nuk është punë e vogël”.
“Mendoj se morali duhet të jetë vlerë e partive politike dhe që, anëtarët e tyre, në momentin që dyshohen për kryerjen e ndonjë vepre që sanksionet me ligj, të japin dorëheqje. Konsideroj që edhe ligji duhet që të rregullohet asisoj: individët të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës së tyre, të japin menjëherë dorëheqje dhe ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës”, ka thënë Krasniqi, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, për deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Basi Musmurati, i cili ka thënë se pas zgjedhjeve të gjitha partitë do të ngarendin pas PDK-së, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, ka theksuar se, “nuk e ka të qartë se në cilat parti ka aluduar Musmurati”, duke shtuar se Nisma ka vizion të qartë për rrugën e saj.