Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Për Kosovën, Jakup Krasniqi, vazhdon të shpërndajë për miqtë e tij në Facebook, thënie filozofike.
Kësaj here Krasniqi, u ka dhënë edhe shpjegim këtyre thënieve duke iu referuar gjendjes aktuale.
Ai ndër tjerash ka thënë se ndoshta Misioni i Ri, i Hashim Thaçit, është mision për t’a bërë “Rrush e Kumbulla” Kosovën.
Ja edhe shkrimi i plotë i Krasniqit
Populli ynë përmes fjalëve të urta ka shpalosur filozofinë e tij të urtë. Në të shumtën e rasteve, kjo filozofi jep shembuj drejtësie, guximi e vendosmërie për ti tejkaluar situatat e vështira në raport me sundimtarët kapadai e të fuqishëm. Në ndonjë rast i janë përvjedhur edhe fjalë të urta skllavërie, nënshtrimi e pa drejtësie, siç janë:
1. ” Një dorë që nuk mund ta thyesh, ktheu dhe puthe” dhe
2. “Ndaje si ta ndash, livadhin lema mua”.
E para, sikur është thirrje për nënshtrim. Nënshtrimi është pasoj e qyqarllakut dhe e frikës. Kjo e fundit thuhet se është pa “para”, merr sa të duash dhe zakonisht njerëzit marrin shumë. Ndoshta kjo fjalë ka dalë nga një shpirt skllavi, e cila më vonë i është veshur popullit. Ndërsa e dyta, personifikon sundimtarin kapadai që nuk e pranon drejtësinë kur ajo nuk ndahet sipas vullnetit te të fortit. Është interesant, sot i hasim, te dy llojet e përshkruara: shpirtin e robit që përjarget duke e lavdëruar sundimtarin dhe kapadaiun që nuk e njehë as drejtësinë e as sundimin e ligjit. Përjargëqa ka gjithandej nder ne.
Sundimtari thotë: “ligji duhet ti nënshtrohet interesit tim” apo “ndaje si ta ndash “babo”, e drejta për të qeverisur, është vetëm e imja”. “Këtu, unë vrajë dhe kthjelli” , pasi unë dhe vetëm unë ju kam çliruar, ju bëra Republikën e pavarur dhe tani kam një mision të ri!? Ndoshta “misioni i ri” është me e bë rrush e kumbulla gjithë pasurinë e Kosovës. Pas këtyre kërkesave fillon thirrja në kushtetutshmëri!? (sic!)
Kushtetutë tarake është kjo e jona, sipas interpretimit të “babës”!?
Historia politike makiaveliste ka treguar se sundimtarët tiranë pushtetin politik e mbajnë goxha gjatë dhe kundërshtarët e tyre në të shumtën shfaqen pas përfundimit të jetës (pas vdekjes) ose pasi bien nga froni sundimtaret. Jakov Xoxa thoshte: “Kur rrezohet kau, shtohen thikat, kur rrezohet njeriu, shtohen kritikat”. Ndërsa, kritikat e pas kohe, janë si “kofini pas të vjelave”.