Jakup Krasniqi ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit serb Aleksandar Vucic se “makthi i Evropës është Shqipëria e Madhe”. Krasniqi thotë se makthi i Evropës ka qenë dhe është politika për një Serbi të Madhe.
Krasniqi në një shkrim të publikuar në Facebook, e pyet Vucic nëse “është normal” pasi ky i fundit në shkrimet në Twitter u drejtua në këtë mënyrë me “shqiptarë normal”.
Sipas Krasniqit në Beograd ka filluar një fushatë fashiste.
Shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Makthi dhe tmerri i Evropës ishte dhe është politika për Serbi të Madhe
Vuçiq thotë: “Njerëzit qe thonë se Shqipëria e Madhe është makthi ynë, kanë absolutisht të drejtë. Por ky nuk është vetëm makthi ynë, është makthi i Evropës, makthi i gjithë njerëzimit, e ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ta parandalojmë atë. Shpresoj se shqiptarët normal do ta kuptojnë këtë porosi” .
Kujt po ia tregon ketë përrallë Vuçiçi, pse ai nuk e kthen kujtesën e tij vetëm pak vite pas, kur ishte nxënës i zellshëm i Sheshelit dhe i Millosheviqit dhe pastaj për ti kujtuar veprimet e tija në mesin e paramilitarëve, atëherë kur të njëjtën gjë e thoshte për shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët. A mos po kujton ai se të tre popujt e përmendur i kanë harruar jo makthet si thotë ai, por tmerret e një lufte fashiste me të gjitha parametrat e gjenocidit të egër! A kujton ai se Bota demokratike dhe ne si pjesë e saj i kemi harruar barbaritë e ati pushteti e të atyre njerëzve që edhe sot e qeverisin Serbinë? Liderët shqiptarë të Kosovës, gjatë këtyre viteve, shumë gjera i kanë heshtur, kanë shikuar përmes gishtërinjve, duke besuar se me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, do të pendoheni, në rend të parë me të kaluarën tuaj kriminale, se jeni penduar e shkëputur nga ajo ideologji antinjerëzore, tmerruese për të gjithë jo serbët e ish federatës jugosllave, e në mënyrë të veçantë për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Të cilët për gati një shekulli i ishin nënshtruar një politike shfarosëse, por më mirë nuk kaluan as boshnjaket e kroatet. Këtu nuk po ua përmendi edhe fatet tjera, se politika shoviniste serbe, ishte fajtore edhe për Luftërat Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore. Historia regjistron gjithçka e nuk harron asgjë. Pra, politika serbomadhe ishte tmerri e makthi, në rend të parë, i popujve që një kohë kishit bashkëjetuar, por edhe Bota demokratike u tmerrua me krimet tuaja të kryera në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci e më pas edhe në Kosovë.
Jo zoti Kryeministër, as ne e as Bota nuk mund t’i harron luftërat e tmerret që ua keni shkaktuar njerëzimit gjatë shekullit XX. Madje kush je ti, që shqiptarët i ndan në “normal” e jo normal. A e shikon fytyrën tuaj në pasqyrë? Po, ti a e ke pyetur veten se vërtetë a je normal? Pse nuk e thua asnjë fjale, për thirrjet e bashkëkombëseve tuaj për vrasjen, tjerrjen e zhdukjen e shqiptarëve? Që u brohorit për më shumë se dyzetë minuta në Beograd? Aty ishte edhe shefi yt dhe heshti! Dhe krejt ketë po tentoni ta e mbuloni me flamurin ku ishte një hartë e trojeve shqiptare. Me veprimet tuaja, me zellin tuaj për tu kapur pas ati flamuri, tregoni se ju jeni organizatori i gjithë hallakames që ka ndodhur atë ditë në Beograd?! Me ketë budallallëk që e thua. Ti po të ishe normal, do ta ndjeje një fije pendimi, për krimet që ideologët tu ju shkaktuan popujve të tjerë jo serb, në shtëpitë e tyre!? Po të ishit normal, ju do të duhej të heshtnit, pas ndeshjes se futbollit të zhvilluar në stadiumin e Partizanit në Beograd.
Po shpresoj, se ketë fushatë fashiste që keni filluar në Beograd, veç të tjerëve janë duke e shikuar, Brukseli e Uashingtoni.
Ndërsa liderët shqiptar, nuk duhet ti shtinë veshët në lesh, siç kanë vepruar gjatë gjithë viteve të shekullit XXI!? Për ta dhe popullin e tyre, ju po u bini kambanave të alarmit. Ata duhet të jenë të vëmendshëm, ose duhet ti thonë popullit se janë të pa aftë ta drejtojnë në këto kohë të vështira.