Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit në nivel vendi janë hapur në orën 07:00 dhe se deri më tani votimi është duke vazhduar normalisht.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se materiali i ndjeshëm zgjedhor është shpërndarë në kohë dhe se qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit.
Sipas tij. të gjitha qendrat e votimit, 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime janë hapur në orën e paraparë dhe se sipas kontakteve të para me zyrtarët në terren, sipas KQZ-së procesi i votimit në këtë orë të parë është duke vijuar normalisht.
Përndryshe, të drejtë vote kanë 1 milion e 794 mijë e 862 qytetarë. Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 28, ndërsa numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë është 1 mijë e 52 kandidatë.
Për vëzhgimin e zgjedhjeve KQZ-ja ka akredituar 18 ambasada me 146 vëzhgues; 6 organizata ndërkombëtare dhe institucione me 37 vëzhgues; 1 institucion publik me 43 vëzhgues; 26 organizata jo-qeveritare vendore me 1 mijë e 713 vëzhgues; 23 subjekte politike 26 635 vëzhgues; dhe më shumë se 60 media vendore dhe ndërkombëtare me rreth 700 përfaqësues. /2LONLINE.com/