Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dalë sot me rezultatet paraprake për zgjedhjet lokale. Në konferencën e fundit për media, mbrëmë, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se kjo bëhet për shkak të balotazheve të ngushta nëpër disa komuna. Deri më tani sipas të dhënave të KQZ-së në balotazh do të shkohet në 78 % për qind të komunave. Ende nuk është analizuar situata me votimet në veri të Kosovës dhe validiteti i tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë pasdite rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të së dielës ku niveli i daljes në votime ishte 45.79 për qind e votuesve. Rezultatet e para tregojnë se ka lëvizje domethënëse në hartën politike lokale ku dy partitë kryesore Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ngushtuar rezultatet e garës.
Sipas të dhënave të deritashme të KQZ-së dhe rrjetit të OJQ-ve Demokracia në Veprim, rezultatet çojnë në balotazh shumicën e kandidatëve për kryetar komunash në 70 % të rasteve. Përjashtim edhe kësaj here kanë bërë bastionet e tri partive politike: PDK në Skenderaj, LDK në Istog dhe AAK në Deçan.
Niveli preliminar i numërimit të votave ka nxjerr një avantazh të LDK-së në 5 komuna në raport me PDK, ndërsa ka rënie gjithashtu të subjektit politik Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në katër komuna në Dukagjin.
Kryetarja e organit të Zgjedhjeve Valdete Daka ndërkaq ka paralajmëruar se dita e sotme do të nxjerr një analizë se si do të veprohet me komunat e veriut ku procesi është dëmtuar rëndë në Mitrovicën veriore ku janë vanadalizuar qendrat kryesore të votimit.
Ajo ka thënë se zgjedhjet atje nuk janë anuluar dhe nuk mund të anulohen sepse paraprakisht duhet analizuar materialin zgjedhor që do të vij nga komunat veriore.
Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë që ka lehtësuar procesin zgjedhor në veri ka vlerësuar se procesi zgjedhor është atakuar rëndë.
Rezultat e KQZ-së nxjerrin një përqindje të vogël të daljes në votime të tri komunave të tjera Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok që shkojnë rreth 22 %. Ndërkaq dalje më e madhe nga niveli i përgjithshëm është regjistruar në komunat tjera me shumicë serbe në anë të tjera në Kosovës.
Ky proces zgjedhor është mbikëqyrur nga rreth 30 mijë vëzhgues të partive, rrjetit të OJQ dhe nga një ekip i monitoruesve Bashkimit Evropian./rtklive.com/