Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Fillimisht, kryetarja e KQZ-së faënderoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, që morën pjesë në këto zgjedhje dhe shprehën vullnetin e tyre.
Po ashtu, Daka falënderoi edhe institucionet tjera të Republikës së Kosoës dhe ato ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor.
Brenda 24 orëve subjektet politike dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Përndryshe, sipas rezultateve LV-ja ka siguruar 49.95% të votave, pasuar nga PDK-ja me 16.9%, kurse LDK-ja ka marrë 12.64% të votave dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07%.
Ndërkaq nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar dhjetë ulëse. Nga dy ulëse në Kuvendin e ri të Kosovës kanë fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome. Ndërkaq, nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Inciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim.
“Numri i votuesve 814 mijë e 122 votues. Numri i votuesve 89 mijë e 257 votues jashtë kutive të votimit. Pjesëmarrja në votime 48.77%. Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 438 mijë e 334 vota, PDK-ja 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota, AAK-ja 62 mijë e 111 vota. Lista Serbe 44 mijë e 404 vota”, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re. PDK-ja do t’i ketë 19 deputetë, LDK-ja do t’i ketë 15 deputetë, AAK-ja do t’i ketë 8 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë dhe komunitetet tjera 10 deputetë.