(2LONLINE) – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) ka miratuar katër propozim vendimin për revidimin e zgjidhjes urbanistike të kompleksit të shkollave të mesme si dhe tri propozim-vendime mbi qasjen e hartimit të planeve rregulluese të hollësishme “Lagja e Spitalit”, “Qendra 3” dhe “Zabeli 1”, dhe i ka rekomanduar për procedurë të mëtejmë në KPF.
Arsyetimet për këto ndryshime i kanë paraqitur zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizimit, Mumin Kqiku, Fadil Sherifi e Qefsere Sadriu, duke nënvizuar se te revidimi i zgjidhjes urbanistike te kompleksi i shkollave të mesme, që është miratuar në vitin 2012, është i nevojshëm për të hapur një rrugë për qytetarë, në mënyrë që ata të kenë qasje në pronat e veta brenda kësaj zone.
Murat Hoxha, kryesues i KPUMM, ka thënë se ndryshimi te kompleksi i shkollave të mesme bazohet në kërkesat e qytetarëve dhe e ka vlerësuar të arsyeshme kërkesën për qasje në këtë zonë. “Kërkesa nuk ka ngjyrime politike, por qasja është e nevojshme për të bërë një zgjidhje më të mirë për qytetarët”, ka thënë Hoxha.
Edhe te planet tjera, Hoxha ka thënë se qasja për ndryshimin e një plani mund të bëhet edhe pa kërkesa të qytetarëve, nëse Drejtoria e Urbanizimit e vlerëson të nevojshme ndryshimin.
Florina Zymberi (PDK) ka votuar kundër këtij propozimi për ndryshim, duke thënë se plani ekzistues ka bërë një zgjidhje shumë të mirë është dhe të qëndrueshme për kompleksin e shkollave të mesme, duke mos lejuar qasjen e qytetarëve brenda kësaj zone.
Ndërkaq, Naim Shaqiri (LDK), ndonëse e ka përkrahur propozimin, ka thënë se ndoshta do të kishte qenë më mirë që zgjidhja për qytetarë të bëhej përmes sheshit “Xhavit Ahmeti” dhe jo përmes kompleksit dhe ka kërkuar që ndryshimi të mos e cenojë pjesën e gjelbërimit.
Ndërkaq, KPUUM ka miratuar dhe rekomanduar për KPF pa asnjë votë kundër tri propozim-vendimet për qasje në tri plane rregulluese hapësinore, të cilat i ka arsyetuar Fadil Sherifi (DUMM). Ai ka thënë se në hapësirën prej 20 hektarësh të zonës “Lagja e Spitalit”, ka sipërfaqe që nuk kanë qenë të mbuluar me plan rregullues.
Sa i përket zonës “Qendra 3”, që përfshin një hapësirë prej 16 hektarësh, Sherifi ka thënë se këtu nuk ka pasur plan rregullues të hollësishëm, por ka qenë e përfshirë në planin e përgjithshëm zhvillimor të qytetit.
Florina Zymberi (PDK) ka kërkuar që të merret parasysh gjendja ekzistuese dhe të përfshihet në planin e ri. Edhe Murat Hoxha është pajtuar që gjendja e tashme mund të merret parasysh, por kjo nuk duhet të ndodh detyrimisht, ka thënë ai.
Hoxha ka thënë se në këtë zonë duhet të parashihen edhe ndërtime të larta, duke nënvizuar faktin se me ndërtime të ulëta, Kosova është bërë një katund i madh.
Kurse plani rregullues “Zabeli 1” përfshin një sipërfaqe prej 25 hektarësh, në kuadër të zonës, që ka gjithsej 85 hektarë dhe pjesërisht është e përfshirë në plan detal urbanistik. /2L ONLINE/