(2L ONLINE) – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur të enjten mbledhjen e fundit për këtë vit, ku pos që ka shqyrtuar e rekomanduar për Kuvend Komunal tri projekt-rregullore, ka vendosur që seanca e Kuvendit, e paraparë për 19 dhjetor, të shtyhet për datën 30 dhjetor.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal ka thënë se është kërkesë e kryetarit të Komunës që, për shkak të udhëtimit të tij jashtë vendit, seanca të shtyhet, në mënyrë që ai të ketë mundësi të paraqes raportin e punës për vitin 2014.
“Kryetari i Komunës ka bërë punë të shkëlqyeshme gjatë këtij viti dhe ai ka kërkuar kohë për të përgatitur dhe paraqitur raportin para jush”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke nënvizuar se Kuvendi Komunal në Gjilan ka zënë vendin e parë për transparencë në vlerësimin e KDI-së.
Shtyrja e seancës u përkrah edhe nga opozita, duke kërkuar që të respektohet afati ligjor për thirrjen e seancave të Kuvendit Komunal.
Përndryshe, KPF i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, por raportit të kryetarit të Komunës, edhe Rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, ku janë propozuar ulje të disa tarifave të shërbimeve, pastaj rregulloren për sigurinë në punë, shëndetin dhe mjedisin e punës në Shërbimin civil komunal si dhe rregulloren për ndarjen e subvencioneve.
Sa i përket ndryshimeve në rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, anëtarët e Komitetit, kërkuan që për seancën e Kuvendit Komunal, t`iu dërgohet edhe rregullorja bazë, pos tekstit me ndryshimet e propozuara, në mënyrë që ata të kenë mundësi t`i bëjnë vetë krahasimet.
Kurse Bujar Haziri, përgjegjës i Njësisë për Kulturë, e ka njoftuar KPF-në në lidhje me dy kërkesa, që kanë të bëjnë me botimin e dorëshkrimeve të Beqir Musliut, përkatësisht një projekt për festën e vitit të ri, që realizohet me Qendrën e Pavarur Kulturore “Laboratorium” dhe ka të bëjë me shpërndarjen e dhuratave për fëmijët skamnorë dhe me një program festiv për natën e 31 dhjetorit.
Kurse Halit Rexhepi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) duhet të plotësohet me dy anëtarë, njëri prej tyre ka të bëjë me përfaqësuesin e komunitetit serb dhe është zëvendësim, ndërsa tjetri do të jetë anëtar i ri nga radhët e Qendrës “Don Bosko”.
Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik e ka njoftuar KPF në lidhje me një program për subvencionimin e fermerëve, i cili do të jepet nga BKT-ja, në formë të kredisë. Obligim i fermerëve përfitues do të jetë, që ta kthejnë sipas afatit kredinë bazë, ndërsa obligimet e kamatës i merr përsipër komuna. /2L ONLINE/